1 Pastaj tërë populli i Judës mori Uziahun, që ishte atëherë gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe e bëri mbret në vend të atit të tij, Amatsiahut.

2 Ai ndërtoi Elathin dhe ia ripushtoi Judës, mbasi mbretin e pushoi bashkë me etërit e tij.

3 Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.

4 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte bërë Amatsiahu, i ati.

5 Ai kërkoi Perëndinë gjatë jetës së Zakarias, që kuptonte vizionet e Perëndisë; dhe për deri sa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi.

6 Ai doli dhe luftoi kundër Filistejve, rrëzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe ndërtoi qytete në afërsi të Ashdotit dhe midis Filistejve.

7 Perëndia e ndihmoi kundër Filistejve, kundër Arabëve që banonin në Gur-Baal dhe kundër Meunitëve.

8 Amonitët i paguanin Uziahut një haraç; fama e tij qe përhapur deri në kufijtë e Egjiptit; sepse ishte bërë shumë i fuqishëm.

9 Uziahu ndërtoi gjithashtu kulla në Jeruzalem në portën e Qoshes, në portën e Luginës dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi këto.

10 Ai ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë dhe gërmoi shumë puse, sepse kishte një numër të madh bagëtish, si në pjesën e poshtme të vendit ashtu dhe në fushë; kishte gjithashtu bujqër dhe vreshtarë në malet dhe në Karmel, sepse e donte tokën.

11 Uziahu kishte gjithashtu një ushtri luftëtarësh që shkonte në luftë në formacion, sipas numrit të regjistruar nga sekretari Jeijel dhe nga komisari Maasejah nën urdhërat e Hananiahut, një nga kapitenët e mbretit.

12 Numri i përgjithshëm i të parëve të shtëpive atërore, njerëzve të fortë dhe trima, ishte dy mijë e gjashtëqind veta.

13 Nën komandën e tyre ndodhej një ushtri prej treqind e shtatë mijë e pesëqind njerëz të aftë të luftojnë me trimëri të madhe, për të ndihmuar mbretin kundër armikut.

14 Uziahu i furnizoi ata, domethënë tërë ushtrinë, me mburoja, ushta, përkrenare, parzmore, harqe dhe hobe për të hedhur gurë.

15 Në Jeruzalem specialistët i ndërtuan gjithashtu disa makina të cilat ai i vendosi mbi kullat dhe në qoshet, për të hedhur shigjeta dhe gurë të mëdhenj. Fama e tij u përhap larg, sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme deri sa u bë i fuqishëm.

16 Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua dhe ai mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan në altarin e temjanit.

17 Pas tij hyri prifti Azariah me tetëdhjetë priftërinj të Zotit, njerëz trima.

18 Ata iu kundërvunë mbretit Uziah dhe i thanë: "Nuk të takon ty, o Uziah, t'i ofrosh temjan Zotit, por priftërinjve, bijve të Aaronit, që janë shenjtëruar për të ofruar temjan. Dil nga vendi i shenjtë, sepse ke kryer mëkat! Kjo nuk do të sjellë asnjë nder nga ana e Zotit Perëndi".

19 Atëherë Uziahu, që kishte në dorë një temjanisë për të ofruar temjanin, u zemërua; por ndërsa po u hakërrohej priftërinjve, mbi ballin e tij shpërtheu lebra, përpara priftërinjve, në shtëpinë e Zotit, pranë altarit të temjanit.

20 Kryeprifti Azariah dhe tërë priftërinjtë e tjerë u kthyen ndaj tij, dhe ja, mbi ballin e tij dukeshin shenjat e lebrës. Kështu e nxorën me të shpejtë dhe ai vetë nxitoi të dalë sepse Zoti e kishte goditur.

21 Mbreti Uziah mbeti lebroz deri ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar, sepse ishte lebroz dhe ishte përjashtuar nga shtëpia e Zotit; dhe i biri Jotham ishte kryeintendenti i pallatit mbretëror dhe administronte drejtësinë e popullit të vendit.

22 Pjesa tjetër e bëmave të Uziahut, nga të parat deri në të fundit, janë shkruar nga profeti Isaia, bir i Amotsit.

23 Kështu Uziahu pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në fushën e varrimit që u takonte mbretërve, sepse thuhej: "E ka zënë lebra". Në vend të tij mbretëroi i biri, Jothami.