1 Në vitin e dymbëdhjetë të Ashazit, mbretit të Judës, Hosea, bir i Elahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe e mbajti fronin nëntë vjet.

2 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që qenë para tij.

3 Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij; Hosea u bë kështu shërbëtor i tij dhe i paguante një haraç.

4 Por mbreti i Asirisë zbuloi një komplot te Hosea, sepse ky kishte dërguar lajmëtarë te So, mbret i Egjiptit dhe nuk i sillte më haraçin mbretit të Asirisë, siç bënte zakonisht çdo vit. Prandaj mbreti i Asirisë e futi në burg dhe e mbante të lidhur.

5 Pastaj mbreti i Asirisë pushtoi tërë vendin, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi gjatë tre vjetve.

6 Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, i shpërnguli Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, si dhe në qytetet e Medit.

7 Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera;

8 kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit.

9 Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara.

10 Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues;

11 dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit;

12 u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: "Mos bëni një gjë të tillë!".

13 Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: "Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve".

14 Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.

15 Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t'i imitonin.

16 Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;

17 kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.

18 Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.

19 As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.

20 Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij.

21 Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh.

22 Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre,

23 deri sa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.

24 Pastaj mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, nga Kuthahu, nga Ava, nga Hamathi dhe nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë në vend të bijve të Izraelit; kështu ata futën në dorë Samarinë dhe banuan në qytetet e saj.

25 Por në fillim të ngulimit të tyre atje, ata nuk kishin frikë nga Zoti; prandaj Zoti dërgoi në mes të tyre, disa luanë, të cilët vranë disa banorë.

26 Atëherë i thanë mbretit të Asirisë: "Njerëzit që ti i ke kaluar dhe vendosur në Samari nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit; prandaj ai ka dërguar në mes tyre luanë që i vrasin ata, sepse nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit".

27 Atëherë mbreti i Asirisë dha këtë urdhër, duke thënë: "Bëni që të kthehet një nga priftërinjtë që keni internuar që andej; ai të shkojë të vendoset pranë tyre dhe t'u mësoj ligjin e Perëndisë të vendit".

28 Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t'i druheshin Zotit.

29 Megjithatë, tërë këto kombe vazhduan të bëjnë perënditë e tyre dhe i vendosën në tempujt e vendeve të larta që kishin ndërtuar Samaritanët, çdo komb në qytetin ku banonte.

30 Ata të Babilonisë bënë Sukoth-Benothin, ata të Kuthit Nergalin, ata të Hamathit Ashiman;

31 ata të Avas bënë Nibhazin dhe Tartakun; dhe ata të Sefarvaimit i digjnin bijtë e tyre për nder të Adramelekut dhe të Anamelekut, perëndi të Sefarvaimit.

32 Ata kishin frikë nga Zoti, por zgjodhën priftërinj të vendeve të larta të ardhur nga çdo klasë dhe që ofronin flijime për ta në tempujt e vendeve të larta.

33 Kështu ata kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin perëndive të tyre, sipas zakoneve të kombeve nga të cilat qenë shpërngulur.

34 Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ndjekin zakonet e vjetra; nuk kanë frikë nga Zoti dhe nuk veprojnë sipas statuteve dhe urdhërimeve të tij dhe as sipas ligjeve dhe urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë bijve të Jakobit, të quajtur prej tij Izrael.

35 Me ta në fakt Zoti kishte vendosur dhe u kishte urdhëruar: "Mos kini frikë nga perëndi të tjera, mos bini përmbys para tyre, mos u shërbeni dhe mos u ofroni flijime,

36 por kini frikë nga Zoti, që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me krahun e tij të shtrirë; para tij bini përmbys dhe atij i ofroni flijime.

37 Kini kujdes të zbatoni gjithnjë statutet, dekretet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju; por mos kini frikë nga perënditë e tjera.

38 Mos harroni besëlidhjen që kam lidhur me ju dhe mos kini frikë nga perëndi të tjera;

39 por kini frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe ai do t'ju çlirojë nga duart e tërë armiqve tuaj".

40 Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan përkundrazi të ndjekin zakonet e tyre të lashta.

41 Kështu këto kombe kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin idhujve të tyre. Edhe bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre kanë vazhduar të veprojnë deri më sot siç kanë vepruar etërit e tyre.