1 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, me qëllim që të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, Zoti nxiti frymën e Kirit, mbretit të Persisë, të nxirrte një dekret për të

2 "Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t'i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem, që është në Judë.

3 Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të; le të shkojë në Jeruzalem, që ndodhet në Judë, dhe të rindërtojë shtëpinë e Zotit, Perëndisë të Izraelit, Perëndia që është në Jeruzalem.

4 Njerëzia e çdo vendi, ku ndonjë jude që ka shpëtuar banon ende, ta furnizojë atë me argjend, me ar, me të mira dhe me bagëti përveç ofertave vullnetare për shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem".

5 Atëherë kryetarët e familjeve të Judës dhe të Beniaminit, priftërinjtë dhe Levitët, bashkë me ata të cilëve Perëndia u kishte zgjuar frymën, u ngritën për të shkuar të rindërtojnë shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem.

6 Tërë fqinjët e tyre i ndihmuan me sende argjendi, ari, me të mira, me bagëti dhe me gjëra të çmuara përveç gjithë ofertave vullnetare.

7 Edhe mbreti Kir nxorri jashtë veglat e shtëpisë të Zotit që Nebukadnetsari kishte marrë me vete nga Jeruzalemi dhe i kishte vënë në tempullin e perëndisë të tij.

8 Kiri, mbret i Persisë, i nxorri jashtë me anë të Mithredathit, përgjegjësit të thesarit, dhe i numëroi përpara Sheshbatsarit, princit të Judës.

9 Ja numri i tyre: tridhjetë legena prej ari, një mijë legena prej argjendi, njëzet e nëntë thika,

10 tridhjetë kupa ari, katërqind e dhjetë kupa argjendi të dorës së dytë dhe një mijë veglat të tjera.

11 Tërë sendet prej ari dhe argjendi ishin pesë mijë e katërqind. Sheshbatsari i solli të gjitha, bashkë me të mërguarit që u kthyen nga Babilonia në Jeruzalem.