1 Në kohën e Asueros, (ai Asuero që mbretëronte nga Indija deri në Etiopi mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina),

2 në atë kohë, kur mbreti Asuero rrinte në fronin e mbretërisë së tij që ishte në kështjellën e Suzës,

3 në vitin e tretë të mbretërimit të tij shtroi një banket për të gjithë princat dhe shërbëtorët e tij; komandantët e ushtrisë së Persisë dhe të Medisë, fisnikët dhe princat e krahinave u mblodhën para tij.

4 Atëherë ai tregoi pasuritë dhe lavdinë e mbretërisë së tij, madhështinë dhe epërsinë e saj për shumë ditë, njëqind e tetëdhjetë ditë.

5 Mbasi kaluan këto ditë, mbreti shtroi një banket tjetër prej shtatë ditësh, në oborrin e kopshtit të pallatit mbretëror, për tërë popullin që ndodhej në kështjellën e Suzës, nga më i madhi deri te më i vogli.

6 Kishte çadra të bardha dhe ngjyrë vjollce, që vareshin me kordonë të kuq flakë në unaza prej argjendi dhe në shtylla prej mermeri. Kishte divanë prej ari dhe prej argjendi mbi një dysheme prej mermeri të kuq dhe të bardhë, prej sedefi dhe alabastri.

7 Jepej për të pirë në enë ari, njëra e ndryshme nga tjetra, dhe kishte verë mbretërore me shumicë për hir të bujarisë së mbretit.

8 Në bazë të ligjit, askush nuk ishte i detyruar të pinte; në fakt mbreti kishte udhëruar tërë funksionarët e shtëpisë së tij t'i shërbenin secilit atë që dëshironte.

9 Edhe mbretëresha Vashti shtroi një banket për gratë në pallatin e mbretit Asuero.

10 Ditën e shtatë, kur zemra e mbretit ishte e gëzuar për shkak të verës, ai urdhëroi Mehumanin, Bizthan, Harbonan, Bigthan, Abagthan, Zetharin dhe Karkasin, të shtatë eunukët që shërbënin në prani të mbretit Asuero,

11 të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorën mbretërore, për t'i treguar popullit dhe princave bukurinë e saj; në të vërtetë ajo kishte një pamje të hijshme.

12 Por mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte sipas urdhrit të mbretit që iu njoftua me anë të eunukëve; mbreti u pezmatua shumë dhe zemërimi i tij i ziente përbrenda.

13 Atëherë mbreti pyeti dijetarët që njihnin kohërat (kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të mbretit me gjithë ata që njihnin ligjin dhe drejtësinë;

14 me të afërt për të ishin Karshena, Shethari, Admatha, Tarshishi, Meresi, Marsena dhe Memukani, shtatë princa të Persisë dhe të Medisë që pranoheshin të rrinin para mbretit dhe zinin postet e para në mbretëri):

15 "Simbas ligjit çfarë duhet t'i bëhet mbretëreshës Vashti, që nuk zbatoi urdhrin e mbretit Asuero që iu transmetua me anë të eunukëve?".

16 Memukami u përgjigj para mbretit dhe princave: "Mbretëresha Vashti nuk ka vepruar drejt vetëm ndaj mbretit, por edhe ndaj gjithë princave dhe tërë popujve që janë në të gjitha krahinat e mbretit Asuero.

17 Sjellja e mbretëreshës do të merret vesh nga të gjitha gratë që do të nxiten të përçmojnë burrat e tyre dhe të thonë: "Mbreti Asuero kishte urdhëruar që të sillnin para tij mbretëreshën Vashti, por ajo nuk i vajti".

18 Madje që sot princeshat e Persisë dhe të Medisë që kanë marrë vesh sjelljen e mbretëreshës, do t'u flasin gjithë princave të mbretit dhe nga kjo do të lindë shumë përçmim dhe zemërim.

19 Në qoftë se mbretit i duket me vend, le të nxjerrë ai një udhëresë mbretërore që të përfshihet në ligjet e Persisë dhe të Medisë dhe të jetë e parevokueshme, në bazë të së cilës Vashti të mos dalë më në prani të mbretit Asuero; mbreti ti japë pastaj pozitën e saj mbretërore një tjetre më të mirë se ajo.

20 Kur urdhëresa e nxjerrë nga mbreti do të njoftohet në tërë mbretërinë e tij, që është e gjerë, tërë gratë do të nderojnë bashkëshortët e tyre, nga më i madhi deri te më i vogli".

21 Ky propozim i pëlqeu mbretit dhe princave, dhe mbreti bëri ashtu si kishte thënë Memukani;

22 dërgoi letra në të gjitha krahinat e mbretërisë, çdo krahine sipas shkrimit të saj dhe, çdo populli sipas gjuhës së tij, në mënyrë që çdo burrë të ishte zot në shtëpinë e tij dhe të fliste gjuhën e popullit të tij.