1 Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.

2 Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit; me anë të tij ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha dëshmin se i pranoi ofertat e tij; dhe me anë të tij, ndonëse vdiq, ai po flet ende.

3 Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë.

4 Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.

5 Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.

6 Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.

7 Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të nëjtit premtim,

8 sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.

9 Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.

10 Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot.

11 Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.

12 Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.

13 Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.

14 Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.

15 Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm,

16 ndonëse Perëndia i pati thënë: ''Te Isaku do të quhet pasardhja jote (që do të mbajë emrin tënd)'',

17 sepse Abrahami mendonte se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish; prej të cilëve edhe e mori atë përsëri si një lloj figure.

18 Me anë të besimit Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun, për gjërat që do të ndodhnin.

19 Me anë të besimit Jakobi, duke vdekur, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij.

20 Me anë të besimit Jozefi, duke vdekur, përmendi eksodin e bijve të Izraelit dhe dha porosi për eshtrat e tij.

21 Më anë të besimit Moisiu, si lindi, u fsheh nga prindërit e tij tre muaj, sepse ata panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhëri i mbretit.

22 Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, nuk pranoi të thuhet i biri i së bijës së Faraonit,

23 duke parapëlqyer të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit,

24 duke e çmuar dhunën e Krishtit si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit, sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi.

25 Me anë të besimit e la Egjiptin pa pasur frikë mërinë e mbretit, sepse qëndroi i patundur sikur të shihte të padukshmin.

26 Me anë të besimit kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen e gjakut, me qëllim që ai i cili i vriste të parëlindurit të mos ngiste ata të Izraelit.

27 Me anë të besimit kaluan nëpër Detin e Kuq si të ishte tokë e thatë, ndërsa kur Egjiptasit u përpoqën ta bëjnë, u mbytën.

28 Me anë të besimit ranë muret e Jerihos, pasi u suallën rreth tyre shtatë ditë.

29 Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit.

30 Dhe ç'të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët,

31 të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,

32 fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.

33 Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.

34 Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.

35 U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikë-lluar, të keqtrajtuar

36 (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.

37 E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,

38 sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.

39 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,

40 duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.