1 Dua të këndoj për të dashurin tim një kantik të mikut tim lidhur me vreshtin e tij. I dashuri im kishte një vresht mbi një kodrinë shumë pjellore.

2 E rrethoi me një gardh, hoqi gurët, mbolli hardhi të cilësisë më të mirë, ndërtoi në mes një kullë dhe bëri një trokull. Ai priste që të prodhonte rrush të mirë, kurse prodhoi rrush të egër.

3 Kështu, pra, o banorë të Jeruzalemit dhe njerëz të Judës, gjykoni midis meje dhe vreshtit tim.

4 Çfarë mund t'i kisha bërë vreshtit tim që nuk ia kam bërë? Pse, ndërsa unë prisja të më jepte rrush të mirë, ajo më dha rrush të egër?

5 Por tani do t'ju njoftoj atë që gatitem të bëj me vreshtin tim: do ta heq gardhin dhe do ta përpihet krejt, do të shemb murin e tij dhe atë do ta shkelin.

6 Do ta katandis në një shkretëtirë: as nuk do ta krasit as nuk do ta punoj me shatë, por do të mbijnë ferra dhe gjemba; dhe do të urdhëroj retë që të mos bjerë shi, fare.

7 Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, dhe njerëzit e Judës janë mbëltesa e kënaqësisë së tij. Ai priste ndershmëri, dhe ja, gjakderdhje, priste drejtësi dhe ja, britma ankthi.

8 Mjerë ata që i shtojnë shtëpisë një shtëpi tjetër, që bashkojnë një arë me një arë tjetër, deri sa të mos ketë më vend, dhe kështu të mbeten të vetmuar për të banuar në mes të vendit.

9 Në veshët e mi Zoti i ushtrive është betuar: "Në të vërtetë shumë shtëpi do të shkretohen, shtëpi të bukura dhe të mëdha do të mbeten pa banorë".

10 Sepse dhjetë jugerë vresht do të prodhojnë vetëm një bato dhe një homer fare do të prodhojë vetëm një efa.

11 Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t'u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera!

12 Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij.

13 Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja.

14 Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të.

15 Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen.

16 Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.

17 Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajtë do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve.

18 Mjerë ata që tërheqin padrejtësinë me litarët e falsitetit dhe mëkatin si me litarët e qerres,

19 dhe thonë: "Le ta bëjë shpejt, le ta kryejë veprën e tij, që të mund ta shohim. Le të afrohet dhe të kryhet plani i të Shenjtit të Izraelit që të mund ta shohim".

20 Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!

21 Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes!

22 Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathtëve në përzierjen e pijeve dehëse,

23 që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij!

24 Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit.

25 Për këtë zemërimi i Zotit është ndezur kundër popullit të tij; ai ka shtrirë dorën e vet kundër tij dhe e ka goditur; kështu malet u drodhën dhe kufomat e tyre rrinë si mbeturina në mes të rrugëve; megjithëkëtë zemërimi i tij nuk është qetësuar dhe dora e tij rri e shtrirë.

26 Ai do të ngrerë një flamur për kombet e largëta dhe do t'u fërshëllejë nga skajet e tokës; dhe ja, ato do të vijnë shpejt dhe menjëherë.

27 Asnjë prej tyre nuk do të jetë i lodhur ose do të lëkundet, asnjë nuk ka për të dremitur ose për të fjetur; brezi i ijëve të tyre nuk do të zgjidhet, nuk do të këputet gjalma e këpucëve të tyre.

28 Shigjetat e tyre janë me majë dhe tërë harqet e tyre janë të nderura; thundrat e kuajve të tyre do të duken si gurë dhe rrotat e qerreve të tyre si një shakullimë.

29 Vrumbullima e tyre do të jetë si ajo e një luani: do të vrumbullojnë si luanë të vegjël, po, do të vrumbullojnë, do ta zënë gjahun dhe do ta çojnë në një vend të sigurt dhe askush nuk do t'ua heqë.

30 Atë ditë do të ulërijnë kundër Judës ashtu si ulërin deti; po të shikosh vendin, ja errësira dhe ankthi, dhe drita do të errësohet nga retë.