1 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''.
4 Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''.
5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''.
6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
7 Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë.
8 Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan.
9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
10 dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''.
11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.