1 Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë.

2 Dhe Jozueu i tha tërë popullit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: "Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera.

3 Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun.

4 Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt.

5 Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë.

6 Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq.

7 Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe Egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bëra Egjiptasve. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë.

8 Unë ju çova në vendin e Amorejve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush.

9 Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t'ju mallkonte;

10 por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut.

11 Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë Amorejtë, Perezejtë, Kananejtë, Hitejtë, Girgasejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë; por unë jua dorëzova në dorë.

12 Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e Amorejve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd.

13 Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë".

14 Prandaj tani t'ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit.

15 Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t'i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t'i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve

16 Atëherë populli u përgjigj dhe tha: "Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t'u shërbyer perëndive të tjera!

17 Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekullira të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar;

18 dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe Amorejtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t'i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë".

19 Por Jozueu i tha popullit: "Ju nuk mund t'i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi ziliqar; ai nuk do t'i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja.

20 Kur ta braktisni Zotin dhe t'u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t'ju bërë keq dhe për t'ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë".

21 Dhe populli i tha Jozueut: "Jo, ne do t'i shërbejmë Zotit".

22 Atëherë Jozueu i tha popullit: "Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t'i shërbyer!". Ata iu përgjigjën: "Jemi dëshmitarë!".

23 Jozueu tha: "Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!".

24 Populli iu përgjigj Jozueut: "Ne do t'i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t'i bindemi zërit të tij".

25 Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem.

26 Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë; dhe mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit.

27 Jozueu i tha pastaj tërë popullit: "Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj".

28 Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet.

29 Pas këtyre gjërave Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,

30 dhe e varrosën në territorin e pronës së tij në Timnath-Serah, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.

31 Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut dhe që dinin tërë veprat që Zoti kishte bërë për Izraelin.

32 Eshtrat e Jozefit, që bijtë e Izraelit kishin sjellë nga Egjipti, i varrosën në Sikem, në pjesën e arës që Jakobi ua kishte blerë bijve të Hamorit, atit të Sikemit, për njëqind pjesë argjendi, dhe që ishte pronë e bijve të Jozefit.

33 Pastaj vdiq edhe Eleazari, bir i Aaronit, dhe e varrosën në malin, që ishte pronë e birit të tij Finehas dhe që ia kishin dhënë në krahinën malore të Efraimit.