1 Jeriko ishte i mbyllur dhe i mbrojtur mirë nga frika e bijve të Izraelit; askush nuk dilte dhe askush nuk hynte në të.

2 Zoti i tha Jozueut: "Shiko, unë të kam dhënë në dorë Jerikon, mbretin e tij dhe luftëtarët e tij trima.

3 Ju të gjithë, luftëtarët, do të marshoni rreth qytetit, do të silleni një herë rreth tij. Kështu do të bëni gjashtë ditë me radhë.

4 Shtatë priftërinj do të çojnë përpara arkës shtatë bori prej briri të dashit; por ditën e shtatë do të silleni rreth qytetit shtatë herë dhe priftërinjtë do t'u bien borive.

5 Kur ata t'u bien pa pushim brirëve të dashit dhe ju të dëgjoni zërin e borisë, tërë populli do të bëjë një ulurimë të madhe; atëherë muret e qytetit do të shemben dhe populli do të ngjitet, gjithsekush drejt, përpara.

6 Kështu Jozueu, bir i Nunit, thirri priftërinjtë dhe u tha atyre: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe shtatë priftërinj të mbajnë shtatë bori prej briri të dashit përpara arkës së Zotit".

7 Pastaj i tha popullit: "Shkoni përpara dhe marshoni rreth qytetit, njerëzit e armatosur të ecin përpara arkës së Zotit".