1 "Bërtit, pra! A ka vallë ndonjë që të përgjigjet? Kujt prej shenjtorëve do t'i drejtohesh?

2 Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë.

3 E kam parë të pamendin të lëshojë rrënjë, por shumë shpejt e mallkova banesën e tij.

4 Bijtë e tij nuk kanë asnjë siguri, janë të shtypur te porta, dhe nuk ka njeri që t'i mbrojë.

5 I urituri përpin të korrat e tij, ia merr edhe sikur të jenë midis gjembave, dhe një lak përpin pasurinë e tij.

6 Sepse shpirtligësia nuk del nga pluhuri dhe mundimi nuk mbin nga toka;

7 por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t'u ngjitur lart.

8 Por unë do të kërkoja Perëndinë, dhe Perëndisë do t'i besoja çështjen time,

9 atij që bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen; mrekulli të panumërta,

10 që i jep shiun tokës dhe dërgon ujin në fushat;

11 që ngre të varfrit dhe vë në siguri lart ata që vuajnë.

12 I bën të kota synimet e dinakëve, dhe kështu duart e tyre nuk mund të realizojnë planet e tyre;

13 i merr të urtët në dredhinë e tyre, dhe kështu këshilla e të pandershmëve shpejt bëhet tym.

14 Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë ecin me tahmin sikur të ishte natë;

15 por Perëndia e shpëton nevojtarin nga shpata, nga goja e të fuqishmëve dhe nga duart e tyre.

16 Kështu ka shpresë për të mjerin, por padrejtësia ia mbyll gojën atij.

17 Ja, lum njeriu që Perëndia dënon; prandaj ti mos e përbuz ndëshkimin e të Plotfuqishmit;

18 sepse ai e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë.

19 Nga gjashtë fatkeqësi ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë.

20 Në kohë zie do të të shpëtojë nga vdekja, në kohë lufte nga forca e shpatës.

21 Do t'i shpëtosh fshikullit të gjuhës, nuk do të trembesh kur të vijë shkatërrimi.

22 Do të qeshësh me shkatërrimin dhe me zinë, dhe nuk do të kesh frikë nga bishat e dheut;

23 sepse do të kesh një besëlidhje me gurët e dheut, dhe kafshët e fushave do të jenë në paqe me ty.

24 Do të dish që çadra jote është e siguruar; do të vizitosh kullotat e tua dhe do të shikosh që nuk mungon asgjë.

25 Do të kuptosh që pasardhësit e tu janë të shumtë dhe të vegjlit e tu si bari i fushave.

26 Do të zbresësh në varr në moshë të shkuar, ashtu si në stinën e vet mblidhet një tog duajsh.

27 Ja ç'kemi gjetur; kështu është. Dëgjoje dhe përfito".