1 Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet.

2 Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët.

3 Dhe u tha atyre: ''Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete.

4 Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini deri sa të largoheni.

5 Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre''.

6 Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo.

7 Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri,

8 të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë.

9 Por Herodi tha: ''Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?''. Dhe kërkonte ta shihte.

10 Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.

11 Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.

12 Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: ''Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë''.

13 Por ai u tha atyre: ''U jepni ju të hanë''. Ata u përgjigjen: ''Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz''.

14 Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: ''I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë''.

15 Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.

16 Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës.

17 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.

18 Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi po lutej në vetmi, dishepujt ishin bashkë me të. Dhe ai i pyeti duke thënë: ''Kush thonë turmat se jam unë?''.

19 Ata duke u përgjgjur thanë: ''Disa thonë "Gjon Pagëzori", të tjerë "Elia" dhe të tjerë një nga profetët e lashtë që është ringjallur''.

20 Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''. Atëherë Pjetri duke u pergjigjur tha: ''Krishti i Perëndisë''.

21 Atëherë ai i porositi rreptë dhe i urdhëroi të mos i tregojnë kurrkujt,

22 duke thënë: ''Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, ta përbuzin pleqtë, krerët e priftërinjve dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ringjallet''.

23 Pastaj u tha të gjithëve: ''Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

24 Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25 E pra, ç'dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje?

26 Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë.

27 Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shjojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë''.

28 Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t'u lutur.

29 Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.

30 Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,

31 të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.

32 Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.

33 Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të rrijmë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''; por ai nuk dinte ç'thoshte.

34 Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re.

35 Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni''.

36 Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç'kishin parë.

37 Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit.

38 Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: ''Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.

39 Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.

40 U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur''.

41 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t'ju duroj? Sille këtu djalin tënd''.

42 Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet.

43 Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet:

44 ''I shtini mirë në vesh këto fjalë, sepse Biri i njeriut do të bjerë në duart e njerëzve''.

45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë; ato ishin të fshehta dhe për këtë shkak ata nuk i kuptonin dot, dhe druanin ta pyesnin për ato që kishte thënë.

46 Pastaj midis tyre filloi një grindje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.

47 Atëherë Jezusi, duke ditur ç'mendime kishin në zemrat e tyre, mori një fëmijë të vogël dhe e afroi pranë vetes,

48 dhe u tha atyre: ''Ai që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua, sepse ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh''.

49 Atëherë Gjoni e mori fjalën dhe tha: ''Mësues, ne pamë një që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse ai nuk të ndjek bashkë me ne''.

50 Por Jezusi i tha: ''Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh është me ne''.

51 Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem,

52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t'i përgatitur ardhjen.

53 Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi.

54 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: ''Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t'i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?''.

55 Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: ''Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;

56 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t'i shpëtuar''. Pastaj shkuan në një fshat tjetër.

57 Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: ''Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh''.

58 Por Jezusi i tha: ''Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën''.

59 Pastaj i tha një tjetri: ''Ndiqmë!''. Por ai përgjigjej: ''Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim''.

60 Jezusi i tha: ''Lëri të vdekurit t'i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë''.

61 Akoma një tjetër i tha: ''Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime''.

62 Jezusi i tha: ''Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë''.