1 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

2 "Foluni bijve të Izraelit dhe u thoni atyre: Kushdo që ka një fluks nga trupi i tij, ky fluks është i papastër.

3 Papastërtia e tij është prodhuar nga fluksi: ai është i papastër për sa kohë fluksi i trupit të tij është ende në veprim, ashtu edhe kur fluksi në trupin e tij është ndaluar.

4 Çdo shtrat mbi të cilin shtrihet ai që ka fluksin do të jetë i papastër; po ashtu do të jetë e papastër çdo gjë mbi të cilën ai ulët.

5 Kushdo që prek shtratin e tij do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet me ujë, dhe ka për të qënë i papastër deri në mbrëmje.

6 Kush ulet mbi çfarëdo gjëje mbi të cilën është ulur ai që ka fluksin, do të lajë rrobat e tij dhe veten me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

7 Kush prek trupin e atij që ka fluksin, do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

8 Në qoftë se ai që ka fluksin pështyn mbi dikë që është i pastër, ky do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

9 Çdo shalë mbi të cilën hipën ai që ka fluksin do të jetë e papastër.

10 Kushdo që prek çfarëdo gjëje që ka qenë nën të, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kushdo që trasporton këto sende do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

11 Kushdo që prek atë që ka fluksin, pa i larë duart, duhet të lajë rrobat e tij dhe të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

12 Ena prej balte, e prekur nga ai që ka fluksin, do të thyhet; dhe çdo enë prej druri do të lahet në ujë.

13 Kur ai që ka fluksin është pastruar nga fluksi i tij, do të numërojë shtatë ditë për pastrimin e tij; pastaj do të lajë rrobat e tij dhe do të lajë trupin e tij në ujë të rrjedhshëm, dhe do të jetë i pastër.

14 Ditën e tetë do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj dhe do të vijë përpara Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes, dhe do t'ia japë priftit.

15 Prifti do t'i ofrojë: njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust; kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të përpara Zotit, për shkak të fluksit të tij.

16 Në rast se një njeri ka një lëshim fare, ai do të lajë tërë trupin e tij në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

17 Çdo rrobë dhe çdo lëkurë mbi të cilat ka farë do të lahet me ujë, dhe do të jetë e papastër deri në mbrëmje.

18 Në rast se një burrë bie në shtrat me një grua dhe ka një lëshim fare, do të lahen që të dy me ujë dhe do të jenë të papastër deri në mbrëmje.

19 Në qoftë se një grua ka një fluks në trupin e saj, dhe ky është një fluks gjaku, papastërtia e saj do të zgjasë shtatë ditë; kushdo që e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

20 Çfarëdo gjë mbi të cilën ajo shtrihet gjatë papastërtisë së saj, do të jetë e papastër; çfarëdo gjë mbi të cilën ulet, do të jetë e papastër.

21 Kushdo që prek shtratin e saj do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

22 Kushdo që prek çfarëdo gjë mbi të cilën ajo është ulur, do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë; do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

23 Kur ajo është ulur mbi shtrat ose mbi çfarëdo gjë tjetër, kur dikush e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

24 Në rast se një burrë bie në shtrat me të, papastërtia e saj kalon mbi të dhe ai do të jetë i papastër për shtatë ditë; dhe çdo shtrat mbi të cilin ai shtrihet, do të jetë i papastër.

25 Në qoftë se një grua ka një fluks gjaku prej disa ditësh jashtë kohës së papastërtisë së zakoneve, ose fluksi vazhdon tej kohës së duhur, ajo do të jetë e papastër për gjithë ditët e fluksit të papastër, ashtu si është në ditët e papastërtisë së saj të zakoneve.

26 Çdo shtrat mbi të cilin shtrihet gjatë ditëve të fluksit të saj, do të jetë për të si shtrati i zakoneve të saj; dhe çdo gjë mbi të cilën ajo ulet do të ketë po atë papastërti të zakoneve të saj.

27 Kushdo që prek këto gjëra do të jetë i papastër; do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë; do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

28 Por pas pastrimit të saj nga fluksi, do të numërojë shtatë ditë, dhe pastaj do të jetë e pastër.

29 Ditën e tetë do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj dhe do t'ia çojë priftit në hyrje të çadrës së mbledhjes.

30 Prifti do ta ofrojë njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust; prifti do të kryejë për të shlyerjen, përpara Zotit, të fluksit që e bënte të papastër.

31 Kështu do t'i mbani të ndarë bijtë e Izraelit nga ajo që i ndot, që të mos vdesin për shkak të papastërtisë së tyre, duke ndotur tabernakullin tim që ndodhet midis tyre.

32 Ky është ligji për atë që ka një fluks dhe për atë që ka një lëshim fare, gjë që e bën të papastër,

33 dhe për gruan që vuan për shkak të zakoneve të saja periodike, për burrin ose gruan që ka një fluks dhe për burrin që bie në shtrat me një grua të papastër".