6 Asnjë nga ju nuk do t'i afrohet ndonjë të afërmi nga gjaku për të zbuluar lakuriqësinë e tij. Unë jam Zoti.

7 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e atit tënd apo lakuriqësinë e nënës sate; ajo është nëna jote; nuk do të zbulosh lakuriqësinë e saj.

8 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së atit tënd; ajo është lakuriqësia e atit tënd.

9 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës sate, bijë e atit tënd ose bijë e nënës sate, qoftë e lindur në shtëpi ose jashtë saj.

10 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së birit tënd apo të bijës së bijës sate, sepse lakuriqësia e tyre është vetë lakuriqësia jote.

11 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së gruas të atit tënd, e lindur nga ati yt; është motra jote; mos zbulo lakuriqësinë e saj.

12 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së atit tënd; është një e afërme e ngushtë e atit tënd.

13 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është një e afërme e ngushtë e nënës sate.

14 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e vëllait të atit tënd; nuk do t'i afrohesh gruas së tij; ajo është halla jote.

15 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e nuses së birit tënd; ajo është gruaja e djalit tënd; mos zbulo lakuriqësinë e saj.

16 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd; është lakuriqësia e vëllait tënd.

17 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e një gruaje dhe të bijës së saj; nuk do të marrësh bijën e birit të saj, as bijën e bijës së saj për të zbuluar lakuriqësinë; janë të afërm të ngushtë të saj; është një incest.

18 Nuk do të marrësh një grua bashkë me të motrën për ta bërë shemër, duke zbuluar lakuriqësinë e saj ndërsa tjetra është akoma gjallë.

19 Nuk do t'i afrohesh një gruaje për të zbuluar lakuriqësinë e saj në periudhën e papastërtisë së saj të shkaktuar nga zakonet.

20 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me gruan e fqinjit tënd për t'u ndotur me të.

21 Nuk do të lejosh që asnjë prej trashëgimtarëve të tu t'i ofrohet Molekut; dhe nuk do të përdhosësh emrin e Perëndisë tënd. Unë jam Zoti.

22 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme.

23 Nuk do të bashkohesh me asnjë kafshë duke u ndotur me të; gjithashtu asnjë grua të mos i afrohet një kafshe për t'u bashkuar me të; është një degjenerim i neveritshëm.