1 Zoti i foli akoma Moisiut në malin Sinai, duke i thënë:

2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap, toka do të respektojë një të shtunë pushimi për Zotin.

3 Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh arën tënde, gjashtë vjet me radhë do të krasitësh vreshtin tënd dhe do të mbledhësh prodhimet;

4 por viti i shtatë do të jetë një e shtunë pushimi për tokën, një e shtunë për nder të Zotit; nuk do të mbjellësh as arën tënde, as do të krasitësh vreshtin tënd.

5 Nuk do të korrësh atë që rritet vetvetiu në prodhimin tënd dhe nuk do të vjelësh rrushin e vreshtit të pakrasitur; do të jetë një vit pushimi për tokën.

6 Atë që toka do të prodhojë gjatë pushimit të saj do të shërbejë si ushqim për ty, për shërbëtorin ose shërbëtoren, për punëtorin tënd dhe për të huajin, me një fjalë për ata që banojnë me ty,

7 për bagëtinë dhe kafshët që ndodhen në vendin tënd; tërë prodhimi i saj do të shërbejë si ushqim i tyre.

8 Gjithashtu do të llogaritësh për vete shtatë të shtuna vitesh: shtatë herë shtatë vjet; këto shtatë javë vitesh do të bëjnë për ty një periudhë prej dyzet e nëntë vjetësh.

9 Ditën e dhjetë të muajit të shtatë do t'i biesh burisë; ditën e shlyerjes do të bëni që të bjerë buria në të gjithë vendin.

10 Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet.

11 Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.

12 Sepse është jubileu; ai do të jetë i shenjtë për ju; do të hani prodhimet që ju japin arat.

13 Në këtë vit të jubileut secili do të kthehet në pronën e vet.

14 Në rast se i shisni diçka fqinjit tuaj, ose blini diçka nga fqinji juaj, nuk do t'i bëni asnjë të padrejtë njëri tjetrit.

15 Do të blesh nga fqinji yt në bazë të numrit të viteve që kanë kaluar mbas jubileut, dhe ai do të të shesë në bazë të numrit të viteve të korrjes.

16 Sa më tepër vite mbeten, aq më tepër do ta ngresh çmimin; sa më pak vite mbeten, aq më shumë do ta ulësh çmimin; sepse ai të shet në bazë të numrit të korrjeve.

17 Asnjë nga ju të mos dëmtojë fqinjin e tij, por të keni frikë nga Perëndia juaj; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

18 Ju do të vini në zbatim statutet e mia, do të respektoni dekretet e mia dhe do t'i zbatoni; kështu do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

19 Toka do të prodhojë frytet e saj dhe ju do t'i hani sa të ngopeni, dhe do të banoni të sigurt në të.

20 Por në rast se thoni: "Çfarë do të hamë vitin e shtatë, po nuk mbollëm dhe nuk korrëm prodhimet tona?".

21 Unë kam urdhëruar që bekimi im të vijë mbi ju vitin e gjashtë, dhe ai do t'ju japë një korrje që do të mjaftojë për tre vjet.

22 Kështu vitin e tetë do të mbillni dhe do të hani nga korrja e vjetër deri në vitin e nëntë; do të hani nga korrja e vjetër deri sa të vijë e reja.

23 Tokat nuk do të shiten për gjithnjë, sepse toka është imja; sepse ju jeni të huaj dhe qiramarrës tek unë.

24 Prandaj në të gjithë vendin që keni pronë do të jepni të drejtën e shpengimit të tokës.

25 Në qoftë se yt vëlla bëhet i varfër dhe shet një pjesë të pronës së tij, ai që ka të drejtën e shpengimit, i afërti i tij më i ngushtë, do të vijë dhe do të shpengojë atë që vëllai i tij ka shitur.

26 Dhe në qoftë se dikush nuk ka njeri që të mund ta shpengojë pronën e tij, por arrin të gjejë vetë shumën e nevojshme për shpengimin,

27 do të numërojë vitet që kaluan dhe do t'i japë blerësit shumën e viteve që mbeten akoma, dhe do të rifitojë kështu pronën e tij.

28 Por në qoftë se nuk është në gjëndje ta shpengojë pronën e tij, ajo që ka shitur do të mbetet në dorë të blerësit deri në vitin e jubileut; atë vit do të shpengohet dhe do të kthehet në zotërim të tij.

29 Në rast se dikush shet një shtëpi në një qytet të rrethuar me mure, ai ka të drejtë ta shpengojë gjatë një viti të tërë mbas shitjes se saj; e drejta e riblerjes zgjat një vit të tërë.

30 Por në qoftë se shtëpia që ndodhet në qytetin e rrethuar me mure nuk është riblerë para se të ketë kaluar një vit i tërë, ajo do të mbetet për gjithnjë pronë e blerësit dhe e trashëgimtarëve të tij; nuk do të shpengohet me rastin e jubileut.

31 Shtëpitë e fshatrave të parrethuara me mure do të konsiderohen përkundrazi si tokë bujqësore; mund të shpengohen dhe me rastin e jubileut do të jenë të shpenguara.

32 Përsa u përket qyteteve të Levitëve, Levitët do të mund të riblejnë gjithnjë shtëpitë e qyteteve që ishin pronë e tyre.

33 Në rast se pastaj dikush ble një shtëpi nga Levitët, shtëpia e shitur në qytet që është pronë e tyre do të shpengohet vitin e jubileut, sepse shtëpitë e qyteteve të Levitëve janë pronë e tyre, në mes të bijve të Izraelit.

34 Por tokat e kullotës të qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë pronë e përjetshme e tyre.

35 Në rast se vëllai yt varfërohet dhe ndodhet ngushtë në mes tuaj, ti do ta përkrahësh si të huaj dhe si mik që të mund të jetojë pranë teje.

36 Mos nxirr nga ai asnjë përfitim ose dobi; por ki frikë nga Perëndia yt, dhe vëllai yt do të jetojë pranë teje.

37 Nuk do t'i japësh hua paratë e tua me kamatë, as do t'i japësh ushqimet e tua për të nxjerrë ndonjë përfitim.

38 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit që t'ju jap vendin e Kanaanit dhe që të jem Perëndia juaj.

39 Në rast se vëllai yt që jeton pranë teje bëhet i varfër dhe shitet te ti, nuk do ta detyrosh të të shërbejë si skllav,

40 por do të rrijë pranë teje si argat dhe si mik; do të të shërbejë deri në vitin e jubileut.

41 Atëherë do të largohet prej teje, ai dhe bijtë e tij, dhe do të kthehet në familjen e tij; kështu do të rifitojë pronën e etërve të tij.

42 Sepse ata janë shërbëtorët e mi, që unë i kam nxjerrë nga vendi i Egjiptit; nuk duhet, pra, të shiten si shiten skllevërit.

43 Nuk do ta sundosh me ashpërsi, por të kesh frikë Perëndinë tënd.

44 Sa për skllavin dhe skllaven që mund të kesh, do t'i marrësh nga kombet që ju rrethojnë; prej tyre do të blini skllavin dhe skllaven.

45 Mund të blini gjithashtu skllevër ndër bijtë e të huajve që jetojnë midis jush dhe midis familjeve të tyre që gjenden midis jush dhe që kanë lindur në vendin tuaj; ata do të jenë pronë e juaj.

46 Dhe mund t'ua lini si trashëgim bijve tuaj pas jush, si pronë e tyre; mund t'i shfrytëzoni si skllevër për gjithnjë; por, sa për vëllezërit tuaj, bijtë e Izraelit, askush nuk do të sundojë mbi tjetrin me ashpërsi.

47 Në rast se një i huaj që jeton pranë teje pasurohet dhe vëllai yt që jeton pranë tij varfërohet, dhe i shitet të huajit ose mikut që ndodhet pranë teje, ose dikujt nga familja e të huajit,

48 pas shitjes së tij, mund të blihet përsëri; mund ta riblejë një nga vëllezërit e tij.

49 Mund ta riblejë ungji i tij ose biri i ungjit të tij; mund të riblihet nga një i afërt i po atij gjaku; ose po të ketë mjetet, mund të shpengohet vet.

50 Do të bëjë llogarinë me blerësin e tij, qysh prej vitit që iu shit atij deri në vitin e jubileut; dhe çmimi që do të paguhet do të llogaritet në bazë të numrit të viteve, duke i vlerësuar ditët e tij si ato të një argati.

51 Në qoftë se mbeten akoma shumë vjet, do ta paguajë shpengimin e tij në bazë të numrit të tyre dhe çmimit me të cilin qe blerë;

52 po të jetë se mbeten vetëm pak vite për të arritur në jubile, do ta bëjë llogarinë me blerësin e tij dhe do ta paguajë çmimin e shpengimit të tij në bazë të pak viteve që kanë mbetur.

53 Si argat le të mbetet bashkë me të zotin një vit pas tjetrit, por ky nuk do ta trajtojë me ashpërsi përpara syve të tua.

54 Dhe po nuk u shpengua me asnjë nga këto mënyra, do të lihet i lirë në vitin e jubileut, ai dhe bijtë e tij.

55 Sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi; janë shërbëtorët e mi, që i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".