1 Mjerë ata që bluajnë në mendje paudhësi dhe projektojnë të keqen mbi shtretërit e tyre; në dritën e mëngjesit e kryejnë, sepse pushteti është në duart e tyre.

2 Dëshirojnë me të madhe arat dhe i marrin me dhunë, shtëpitë dhe i marrin; kështu shtypin me hile njeriun dhe shtëpinë e tij, individin dhe pronën e tij.

3 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë po kurdis kundër këtij fisi një fatkeqësi, prej së cilës nuk mund të largoni qafën tuaj, as do të ecni me kokën lart, sepse do të jetë një kohë fatkeqësie.

4 Atë ditë do të dalë një proverb rreth jush, do të ngrenë një vajtim të zemërlënduar dhe do të thonë: "Jemi plotësisht të shkatërruar". Ai ka ndryshuar trashëgiminë e popullit tim. Ah, si ma mori! Arat tona ua shpërndau të pabesëve".

5 Prandaj nuk do të ketë më njeri që ta heqë litarin për ty, për të hedhur shortin në kuvendin e Zotit.

6 "Mos profetizoni", u thonë profetëve të tyre. Kështu ata nuk do të profetizojnë për këto gjëra, por nuk do ta largojnë turpin e tyre.

7 Éshtë thënë, o shtëpi e Jakobit: "A është i kufizuar Fryma e Zotit, apo këto janë veprat e tij? A nuk e bëjnë vallë rrezatues fjalët e mia atë që ec me ndershmëri?

8 Por kohët e fundit populli im ngriti krye si një armik; ju u merrni mantelin dhe rroben kalimtarëve që e ndjejnë veten të sigurt, atyre që kthehen nga lufta.

9 Ju i dëboni gratë e popullit tim nga shtëpitë tyre të mrekullueshme dhe u rrëmbeni për gjithnjë lavdinë time fëmijëve të tyre.

10 Çohuni dhe ikni, sepse ky nuk është një vend prehjeje; duke qenë i ndotur do t'ju shkatërroj me një shkatërrim të llahtarshëm.

11 Edhe sikur një njeri të ecte me një frymë falsiteti dhe të përhapte gënjeshtra, duke thënë: "Unë do të parathem për ty verë dhe pije dehëse", ai do të ishte një profet për këtë popull".

12 "Do të mbledh me siguri gjithçka, o Jakob, do të mbledh me siguri mbeturinën e Izraelit; do t'i vë bashkë si delet në një vathë, si një kope në mes të kullotës së vet; do të bëjnë një zhurmë të madhe për shkak të morisë së njerëzve.

13 Kush do të hapë të çarën, do të ngjitet para tyre; ata do të depërtojnë, do të kalojnë nga porta dhe prej saj kanë për të dalë; mbreti i tyre do të ecë para tyre dhe Zoti do të jetë në krye të tyre".