1 Tani, bashkohu tok, o bijë e trupave. Na kanë rrethuar; me shufër godasin mbi faqe gjyqtarin e Izraelit.

2 "Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë".

3 Prandaj ai do t'i braktisë deri në kohën në të cilën ajo që duhet të pjellë ka për të pjellur; atëherë kusuri i vëllezërve të saj do t'u kthehet bijve të Izraelit.

4 Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit, në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Dhe ata do të banojnë të sigurt, sepse atëherë ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës.

5 Dhe ai vetë do të jetë paqja. Kur Asiri do të vijë në vendin tonë dhe do të shkelë në pallatet tona, ne do të nxjerrim kundër tij shtatë barinj dhe tetë princa nga njerëzit e zakonshëm.

6 Ata do të shkatërrojnë vendin e Asirisë me shpatë dhe tokën e Nimrodit në portat e saj; kështu ai do të na çlirojë nga Asiri në rast se do të vijë në vendin tonë dhe do të shkelë kufijtë tanë.

7 Kusuri i Jakobit, në mes të shumë popujve, ka për qenë si një vesë e dërguar nga Zoti, si një shi i dendur mbi barin, që nuk pret njeriun dhe nuk shpreson asgjë nga bijtë e njerëzve.

8 Kusuri i Jakobit do të jetë midis kombeve, në mes të shumë popujve, si një luan midis kafshëve të pyllit, si një luan i vogël midis kopeve të dhenve, i cili, po të jetë se kalon në mes, shkel dhe shqyen pa i dhënë mundësi askujt t'i shpëtojë.

9 Dora jote do të ngrihet kundër kundërshtarëve të tu dhe tërë armiqtë e tu do të shfarosen.

10 "Atë ditë do të ndodhë", thotë Zoti, "që unë do t'i zhduk kuajt e tu në mes teje dhe do të shkatërroj qerret e tua;

11 do të zhduk qytetet e vendit tënd dhe do të rrëzoj tërë fortesat e tua;

12 do të zhduk nga dora jote artet magjike dhe ti nuk do të kesh më shortarë;

13 do të zhduk në mes teje figurat e tua të gdhëndura dhe shtyllat e tua të shenjta, dhe ti nuk do të biesh më përmbys përpara veprës së duarve të tua.

14 Do të çrrënjos në mes teje Asherahët e tu dhe do të shkatërroj qytetet e tua.

15 Do të hakmerrem me zemërim dhe me tërbim me kombet që nuk kanë dashur të dëgjojnë".