1 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;

2 dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.

3 Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.

4 Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ''Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''.

5 Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ''Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!''.

6 Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.

7 Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''.

8 Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.

9 Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''.

10 Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?''.

11 Dhe Jezusi u përgjigj: ''Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.

12 Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre''.

13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.

14 Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,

15 tha: ''Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.

16 Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë''.

17 Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ''O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë''.

18 Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.

19 Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: ''Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?''.

20 Dhe Jezusi u tha atyre: ''Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.

21 Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit''.

22 Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: ''Biri i njeriut do t'u dorëzohet në duart e njerëzve,

23 dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet''. Dhe ata u pikëlluan shumë.

24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: ''Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?''.

25 Ai tha: ''Po''. Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: ''Ç'mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?''.

26 Pjetri i tha: ''Prej të huajve''. Jezusi tha: ''Bijtë, pra, përjashtohen.

27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua''.