1 Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë.

2 Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit.

3 Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi,

4 duke thënë: ''Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj''. Por ata thanë: ''Po ne ç'na duhet? Punë për ty!''.

5 Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.

6 Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: ''Nuk është e ligjshme t'i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku''.

7 Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve.

8 Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut".

9 Atëherë u përmbush ç'ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: ''Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;

10 dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti''.

11 Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe Jezusi i tha: ''Ti po thua!''.

12 Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare.

13 Atëherë Pilati i tha: ''A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?''.

14 Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.

15 Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t'i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte.

16 Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba.

17 Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: ''Kë doni t'ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?''.

18 Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira.

19 Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: ''Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij''.

20 Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjan turmës që të kërkonte Barabën, dhe Jezusi të vritej.

21 Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: ''Cilin nga të dy doni që t'ju liroj?''. Ata thanë: ''Barabën!''.

22 Pilati u tha atyre: ''Ç'të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?''. Të gjithë i thanë: ''Të kryqëzohet!''.

23 Por guvernatori tha: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: ''Të kryqëzohet!''.

24 Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ''Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju''.

25 Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: ''Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!''.

26 Atëherë ai ua liroi atyre Barabën; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.

27 Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.

28 Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.

29 Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!''.

30 Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.

31 Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.

32 Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.

33 Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës",

34 i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.

35 Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç'ishte thënë nga profeti: ''I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time''.

36 Pastaj u ulën dhe e ruanin.

37 Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: ''KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE''.

38 Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.

39 Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,

40 dhe duke thënë: ''Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!''.

41 Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:

42 ''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;

43 ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"''.

44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.

45 Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.

46 Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: ''Eli, Eli, lama sabaktani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.

47 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ''Ky po thërret Elian''.

48 Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.

49 Por të tjerët thonin: ''Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar''.

50 Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.

51 Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;

52 varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;

53 dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.

54 Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ''Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!''.

55 Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galilea për t'i shërbyer;

56 midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioseut; dhe nëna e bijve të Zebedeut.

57 Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.

58 Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t'ia dorëzonin trupin.

59 Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër,

60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua.

61 Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit.

62 Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati,

63 duke thënë: ''Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem".

64 Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t'i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari''.

65 Por Pilati u tha atyre: ''Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t'ju duket më mirë''.

66 Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.