1 Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.

2 Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira.

3 Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.

4 Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.

5 Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.

6 Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.

7 Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.

8 Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.

9 Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.

10 Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur.

11 Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve!

12 Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.

13 Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.

14 Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.

15 Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.

16 Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.

17 Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.

18 Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.

19 Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.

20 Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.

21 Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt.

22 Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.

23 Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!

24 Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.

25 Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t'i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.

26 Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.

27 Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.

28 Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.

29 Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.

30 Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.

31 Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët.

32 Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.

33 Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.