1 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

2 Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

3 Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

4 Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

5 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

6 kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

7 kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

8 Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

9 O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.