1 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,

2 ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:

3 "Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;

4 nuk do t'i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,

5 deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".

6 Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

7 Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.

8 Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.

9 Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.

10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.

11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.

12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t'u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".

13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:

14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.

15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t'i ngop me bukë të varfërit e tij;

16 do t'i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.

17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t'i jap një llambë të vajosurit tim.

18 Do t'i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".