13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!